Edhe VIP-at agjërojnë

Monday, July 23, 2012

Mund të duken njerëzit më të pabesueshëm për të ndjekur një regjim të fortë, siç është agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, por gjatë këtij muaji besimtarë të çfarëdo profesioni qofshin i nënshtrohen rregullave të Islamit. Mes tyre, ndonëse për ne tingëllon pak e çuditshme, ka edhe shumë personazhe publikë. Siç janë këngëtarët për shembull, të cilët megjithëse gjatë stinës së nxehtë kanë muajt më të ngjeshur të punës me koncerte, përsëri nuk heqin dorë nga besimi dhe më besimtarët prej tyre nuk heqin dorë as nga agjërimi. Ka ndodhur shpesh kjo me këngëtaren Çiljeta Xhilaga, e cila vitin e shkuar agjëroi “Natën e Kadrit”, ndonëse po atë ditë kishte një koncert në Himarë. Edhe këtë vit Çiljeta, e cila është e njohur në komunitetin mysliman për besimin e saj thotë për “Summer Pages” që megjithëse e ka të vështirë të agjërojë të gjithë muajin, do të gjejë mënyrën për të agjëruar të paktën netët e ashtuquajtura të mira sipas besimit mysliman.
Të devotshëm ndaj besimit mysliman janë edhe disa nga reperët shqiptarë si Ledri Vula, Lyrical Son, Mc Kresha, të cilët megjithëse të angazhuar me koncerte përsëri e kanë gjetur mënyrën për të agjëruar gjatë netëve të mira. Ndërkaq, Teuta Kurti është gjithashtu një besimtare e devotshme. Gjatë një prononcimi të dhënë së fundmi për mediat këngëtarja Kurti është shprehur se “Agjërimin e Ramazanit e kam mbajtur përherë që në moshën e adoleshencës, ndonëse për mua ky muaj është muaji më i bekuar dhe më i adhuruar.Këtë përkushtim e kam nga familja ime, e cila i përkushtohet fesë sonë myslimane dhe unë e trashëgoj nga ta. Fatmirësisht edhe familja e bashkëshortit është e dhënë pas fesë dhe kështu që jam e lumtur për këtë fakt. Unë përveç që agjëroj i kryej edhe ritet fetare siç është falja e namazit dhe thënë të vërtetën ndjehem shumë mirë shpirtërisht kur kryej obligimet fetare ndaj Allahut”. Sakaq Zaimina Vasjari bën pjesë gjithashtu në këngëtaret besimtare. “Kam agjëruar ditën e parë të muajit Ramazan, do të agjëroj dhe ditën e fundit si dhe në Natën e Kadrit. Koncertet na e bëjnë të pamundur agjërimin, jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje…”, –shprehet bukuroshja Vasjari për suplementin.
Ndërkohë që emra të tjerë në Kosovë dhe Maqedoni të tillë si Shpat Kasapi, Adrian Gaxha, Gili, Leonora Jakupi, Tuna, Big Mama, etj, pavarësisht koncerteve të shumta kanë nisur agjërimin – ndonëse jo me kohë të plotë.
Share this article on :
 
© Copyright 2011-2012 Gazeta Sot Online All Rights Reserved.