Vesa Luma: Big Basta më bën të ndihem femra më e lumtur në botë

Thursday, July 26, 2012


Sepse tani është e bindur më shumë se çdo herë tjetër që Big Basta është mashkulli i jetës së saj. I duhuri për të krijuar një familje e për të pasur një jetë të bukur, të mbushur me dashuri. Veç rrëfimit për jetën private këngëtarja ka ndarë me ne edhe shumë detaje të tjera nga ditë-netët e saj, që për momentin janë të mbushura plot me koncerte e muzikë.
Vesa si po kalon këto kohë?
Është verë dhe si zakonisht kjo periudhë është periudhë pune. Pas “X Factor” sërish në Prishtinë me bazë, por në lëvizje vazhdimisht.
Vera, me apo pa pushime. Cilat janë planet që ke bërë?
Vera deri tani pa as edhe një ditë pushim, por po shpresoj që deri në fund të gushtit do të vendos që të bëj pak pushim sa për të mbledhur energji akoma më shumë.
Si i kujton pushimet e para?
Meqë prindërit e mi kanë punuar gjithmonë, çdo verë kemi kaluar pushime të gjata të cilat zakonisht i bënim në Turqi, Kroaci apo Bullgari. Atëherë po që bëhej pushim dhe që relaksoheshe mirë. Sepse tani edhe pushimet me telefon në duar po i bëjmë.
Po pushimet e fundit?
Pushimet e fundit i kam bërë 5 ditë para një viti, por aq. Edhe po të dua nuk kam mundësi të bëj më shumë tani.
Vesa, vera është stina në të cilën këngëtarët prodhojnë më shumë. Sa e ndjen konkurrencën?
Është shumë e vërtetë që prodhimtaria muzikore shtohet gjatë verës, dhe më vjen mirë që janë bërë kaq shumë këngëtarë që mundohen të sjellin gjëra të reja e sidomos në Kosovë. Por vazhdoj të mendoj se çdo këngëtar ka publikun e vet. Vetëm do të kisha dashur që imagjinata muzikore të shkojë edhe më larg se kaq. Unë jam në një fazë ku kam nevojë të jap më shumë se kaq sa kam dhënë dhe të sjell një risi fillimisht për mua pastaj për publikun tim. E në këtë aspekt mendoj se konkurrenca është më e vogël.

A ka ndonjë kolege të cilën e cilësoni rivale?
Nuk dua të shprehem shumë me diplomaci, por nëse krahasoj gjërat që kanë bërë kolegët e mi dhe gjërat që kam bërë unë, mendoj që secili është munduar që të krijojë një imazh të veçantë tek publiku, gjë që është shumë e vështirë, e sidomos kur bëhet fjalë për origjinalitetin.
Flitet se mes disa këngëtareve ka ‘armiqësi’, a di ti ndonjë prej tyre?
Unë për vete nuk e konsideroj asnjë armik, përkundrazi kam respekt për të gjithë, e sidomos për ata që nuk janë ndalur së punuari tash e sa kohë. Nuk mendoj se ka vend për armiqësi sidomos në shoëbiz-in shqiptar ku çdo mundësi është minimale.
Cilat janë planet që ke në muzikë Vesa, do të ketë një këngë ose një klip të ri?
Një lajm është përhapur këto ditë që kam braktisur muzikën, përgjigja që kam unë është kjo: Më erdhi shumë keq për këtë dezinformatë, pikërisht në kohën kur po jap aq shumë për tregun muzikor, dhe kam qenë jashtëzakonisht aktive. Edhe në tregun botëror artistët marrin pushim për t’u inspiruar dhe akumuluar dhe këtë gjë po e bëj pjesërisht nëse mund të quhet pushim sepse ndërkohë po punoj për albumin tim të ri, me të gjitha këngët e reja. Dua që ky album të punohet me shumë përpiktmëri dhe kujdes, në mënyrë që publiku të ketë në duar atë që unë gjithë jetën kam dashur t’ua dhuroj.
Vesa, këto kohë emri yt ka qenë një ndër më të lakuarit në faqet e shtypit rozë për shkak të një historie dashurie me Big Bastën. Pse vendosët që ta pranoni kaq vonë lidhjen?
Sepse kemi pasur nevojë vetëm për njëri-tjetrin dhe kemi dashur ta ruajmë me fanatizëm deri në kohën kur ashtu siç e premtuam ishim vet ne që u ndjemë të gatshëm ta bëjmë publike.
Si jeni njohur bashkë?
Jemi njohur shumë kohë më parë, por kemi krijuar shumë miqësi gjatë kohës kur të dy ishim pjesëmarrës në “Dancing”. Në atë kohë ai më ka ndenjur shumë afër duke më bërë që ta dua Tiranën më shumë.

Sa kohë pas takimit të parë lindën ndjenjat?
Gjithçka ka qenë graduale, gjë e cila ka forcuar shumë ndjenjat tona. Nisi si një miqësi shumë e mirë, duke përfunduar me këtë ndjenjë që është ndjenja më e mirë në botë (buzëqesh).
Çfarë të tërhoqi më shumë tek ai?
Ka gjithçka që një femër do të kishte dashur që mashkulli i saj të ketë. Më bën të jem femra më e lumtur në botë. Pozitiviteti, inteligjenca dhe edukata e tij dita ditës më bën që ta dua më shumë.
Si është që të dashurin ta kesh edhe koleg (rival) e producent muzikor?
Ajo për ç’ka ndihem e lumtur është që neve na kanë lidhur gjërat e tjera përpara profesionit, ndërsa muzika dhe profesioni i njëjtë është një plus i madh, sidomos kur ke të bësh me një person jashtëzakonisht të talentuar. Po mësojmë shumë nga njëri-tjetri dhe në këtë aspekt ndjehemi shumë të fuqishëm.
Cilat ishin reagimet e miqve dhe familjes, kur i tregove që Big Basta është i dashuri yt? Është i njëjti reagim: “Jeni bërë për njëri-tjetrin”. Më është bërë shumë qejfi që sidomos fansat tonë janë shprehur po aq të lumtur sa edhe miqtë e familjarët tanë.
A ka ndonjë mundësi që ju të nisni bashkëjetesën?
E rëndësishme është që jemi të lumtur bashkë, të tjerat vijnë gradualisht. Shpesh herë ke thënë që ndoshta mund të vish të jetosh për fare në Tiranë, mendon se lidhja me Bigun mund të ndikojë në marrjen e këtij vendimi? Pse jo, Shqipëria më ka dhënë dashuri pafund.
Share this article on :
 
© Copyright 2011-2012 Gazeta Sot Online All Rights Reserved.