Cana në dyshim, Shqipëria në alarm

Wednesday, September 5, 2012


  
Lorik Cana është në dyshim për ndeshjen kundër Qipros, e cila do të luhet në Tiranë këtë të premte në mbrëmje. Kapiteni i kuqezinjve ende nuk është rikuperuar plotësisht pasproblemeve që pati javën e shkuar te Lazio dhe së fundi ka ardhur një tjetër lajm jo i gëzueshëm: mesfushori ka probleme edhe në shpinë. 

Mediat italiane janë kontradiktore për diagnozën që i ka nxjerrë stafi mjekësor i klubit, pasi në disa thuhet se lojtari është në fund të rikuperimit, ndërsa në disa media të tjera thuhet se stafi ka kërkuar të paktën edhe një javë tjetër pushim. 

Nga ana tjetër, trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka deklaruar se Cana do të jetë i gatshëm për këto dy ndeshje, pasi stafi do të bëjë gjithçka që ai ta kalojë dëmtimin sa më shpejt. 

"Loriku ka një dëmtim dhe për këtë jam realisht i shqetësuar, por jam i bindur se kur ai vjen në Kombëtare i ndjen pak ose nuk i ndjen fare dhimbjet, pasi ka një dëshirë dhe forcë kur vesh fanellën e Kombëtares saqë i largon çdo problem. Mirëpo, përveç kësaj, ne do të punojmë që deri të premten të mund ta rikuperojmë në 100 për qind të formës së tij fizike", ka thënë trajneri dje në konferencën për shtyp. 

Cana është një nga shtyllat e ekipit kuqezi dhe së bashku me Mavrajn pritet të luajë në qendër të mbrojtjes. Futbollisti nuk ka luajtur as dy ndeshjet e fundit me Lacion për shkak të problemeve që ka pasur, fillimisht në pulpë dhe më pas në shpinë. 

Sipas stafit mjekësor lazial, bëhet fjalë për mbilodhje.
Share this article on :
 
© Copyright 2011-2012 Gazeta Sot Online All Rights Reserved.