Shqipëria zhgënjimin e rikthen në festë

Saturday, September 8, 2012


Shqipëria zhgënjimin e rikthen në festë

Shqipëria është fituese në startin e eliminatoreve të Botërorit. Kuqezinjtë mundin 3-1 Qipron në “Qemal Stafa” dhe e bëjnë nëpërmjet një loje bindëse, nëpërmjet emrave të rinj dhe mbi të gjitha dhe nëpërmjet zgjedhjeve të De Biasit, që ka meritë për të gjitha lëvizjet e kryera në ndeshjen e tij të parë zyrtare në krye të stolit kuqezi.
Një Shqipëri që ndez “Qemal Stafën” që fiton Alban Mehën dhe Burim Kukelin dhe që sjell golin e parë të Çanit dhe Sadikut në ndeshjen e tyre të parë zyrtare, ndërsa “qershinë mbi tortë” na e dhuron Erjon Bogdani me një nga ato gola të paharrueshëm.
De Biasi propozon që në start tre debutues në përfaqësuese, Alban Mehën, Burim Kukelin dhe Armando Sadikun, zgjedhje që do të rezultojnë të goditura nga ana e italianit sidomos ajo e Alban Mehës që i jep një marsh më shumë kuqezinjve në start teksa që në minutën e dytë hedh një top të rrezikshëm drejt zonës, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë servir një tjetër top të artë që Salihi kërkon ta konkretizojë me roveshatë duke çuar peshë “Qemal Stafën”.
Meha që duket sikur ka rrota nën këmbë provon vetë në minutën e nëntë duke konfirmuar startin e fuqishëm të Shqëipërisë. Qipro është e tërhequr mbrapa, megjithatë për rastin e parë të vërtetë duhet pritur minuta e 22-të kur Bulku shërben për Salihin që nuk godet dot. 7 minuta më pas Bulku provon dhe një herë tjetër për Salihin, por ky i fundit nuk gjen kohën e duhur.
Goli është në ajër dhe në minutën e 37-të De Biasi mund të fërkojë duart në stol për zgjedhjet e tij, teksa Meha “qëndis” një pasim perfekt për Sadikun, që ushtron presion ndaj Constandinu, i cili e dërgon topin në rrjetën e tij. Stadiumi shkundet i tëri nga tifozët kuqezi teksa flamuri shqiptar shpaloset krenar në shkallët e impiantit. 1-0 dhe meritë absolute për Sadikun në debutimin e tij zyrtar rastin e parë të vërtetë qipriotët e krijojnë në minutën e 40-të kur një pasiguri e Dallkut për pak sa nuk servir golin e barazimit por po vetë korrigjohet duke ndalur më pas goditjen e kundërshtarit. Në pushim duhet të shkohet 1-0 por një faull i padhënë për Bulkun dhe më pas një faull i shkaktuar nga shqiptarët sjell një goditje dënimi që ndëshkon kuqezinjtë. Harkimi i Laban përshkron gjithë mbrojtjen dhe përfundon në rrjetë në minutën e 4 shtesë të pjesës së parë. Një 1-1 që i rri ngushtë Shqipërisë pas një 45 minutëshi të dominuar.
Në fraksionin e dytë ritmi është më i ngadaltë, madje janë qipriotët që shfaqen më të rrezikshëm pasojë dhe e një gabimi të Vilës që për pak sa nuk shënon një autogol të pabesueshëm. De Biasi kupton se duhet të fillojë të luajë kartat e stolit dhe nxjerr Sadikun mes duartrokitjesh për Jahmir Hykën. Shqipëria ka kontrollin e lojës por jo rastet dhe për pasojë trajneri De Biasi hedh në fushë dy sulmuesit e gjatë Bogdani dhe Çani, që do të rezultojë dhe asi fitimtar i lojës. Një harkim i Hykës gjen kokën e Çanit, për fundin e rrjetës. Shqipëria është sërish përpara dhe me meritë. Por nëse mendoni se përfundoi gaboheni, sepse Bogdani ka ruajtur “ëmbëlsirën” për në fund, kur me një supergoditje shënon një gol të mrekullueshëm në Qemal Stafa që i vë kapak sfidës. Mbyllet 3-1 me një Shqipëri fitimtare, luftarake, emocionuese dhe spektakolare. Një start i mbarë me për këto eliminatore që të bëjnë të thërrash fortë, Forca Shqipëria!
Shqipëria ndeshjen e ardhshme do ta luajë në udhëtim me Zvicrën, për të cilën po ashtu shkëlqyen futbollistët shqiptar që luajnë për këtë përfaqësuese.
Shqipëria – Qipro 3:1 (1:1)
Shqipëria: Ujkani, M. Mavraj, L. Cana, A. Dallku, A. Lila, B. Kukeli, H. Salihi, E. Vila, E. Bulku, A. Meha, A. Sadiku
Qipro: Aloneftis, Charalambidis, E. Charalambous, J. Demetriou, A. Georgallides, D. Junior, M. Konstantinou, V. Labano, C. Makridis, G. Merkis, M. Nicolaou.
Grupi E
Shqipëria – Qipro 3:1
Sllovenia – Zvicra 0:2
Islanda – Norvegjia 2:0
Tabela
1. Shqipëria 1 3
2. Zvicra 1 3
3. Islanda 1 3
4. Sllovenia 1 0
5. Norvegjia 1 0
6. Qipro 1 0

Share this article on :
 
© Copyright 2011-2012 Gazeta Sot Online All Rights Reserved.